Pa Fokus Tetor | Page 56

Një libër mes kaosit. Ndodhesha pas xhamit. S’e di sa kohë kishin kaluar këtë herë… ndoshta vite, shekuj në fakt nuk isha shumë i zoti të dalloja stinët kur kalonin, apo vitet. Sidoqë të jetë puna shpresoja të ishte Dimër. Më pëlqente dimri, kisha kujtime të mira në atë stinë, jo sepse isha i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturave, por sepse ne librat gjithmonë e pëlqejmë dimrin. Nuk e ndjenim temperaturën, si të thuash për ne ishte gjithçka konstante por kisha dëgjuar shumë të flitej për të ftohtin, të ngrohtin fuqinë e diellit, reve… njerëzit flisnin dikur për to gjatë gjithë kohës. Vazhdoja të isha pas xhamit, i rrethuar nga miq: të gjatë, të hollë, me ngjyra, të zhgarravitur, të grisur pak, të rinj, të vjetër… Secili me historitë e tij në vetvete, me emrat e tyre të çuditshëm, me sjelljen e ftohtë dhe indiferente. Isha gjithmonë në cepin më të largët të xhamit, por me një pamje të mirë përjashtë. Arrija të shikoja sportelin e bibliotekës, kujdestaren e librave dhe derën e madhe pas saj: e drunjtë me një xham të trashë e mesa dalloja nga lëvizja e njerëzve e fortë për t’u hapur, aq shumë më dukej se mundoheshin njerëzit për të hapur atë derë saqë doja të dilja e t’i ndihmoja për të hyrë. Do më duhej punë por të paktën ata nuk do e gjenin më të vështirë për të hyrë aty, përse dreqin nuk e ndërronin atë derë të fortë? Gjithsesi, të rrallë ishin ata që vinin e hidhnin sytë mbi xham, zakonisht shihja që vinin të pajisur me librat e tyre, libra të rinj, me ngjyra sikur jua ndjeja shpeshherë erën e mirë që e ruanin ende në faqet e tyre... Mbaj mend kur më blenë mua për herë të parë, më duhet ta pranoj se me historinë që përmbaja nuk isha unik në llojin tim, madje si mua u botu