Pa Fokus Qershor | Page 68

Gjëja që të ngacmon më së shumti gjatë filmit është ajo sekuenca kur një çift në brendësi të turmës, fillon të pëshpërijë duke bërë thashetheme për të tjerët dhe kështu e distancon veten nga turma, jo në aspektin fizik. Janë pikërisht një personifikim i mendësisë tonë shqiptare. Të bërit thashetheme poshtë një ballkoni ka qenë gjithmonë e zakontë, ashtu si të putheshe, të thurje intriga etj. Por Ballkoni i Lendita Zeqiraj del përtej këtij vesi banal që rrjedh në venat tona. Ballkoni mbledh poshtë vetes një turmë me diversitet karakteresh të cilët shfaqin pjesë nga • flasin mat fil kultura jonë mesdhetare. Dikush bërtet, dikush vjedh, dikush bën thashetheme, dikush tregon indiferentizëm, aq sa e gjithë turma shpesh zhvendoset nga problemi i vërtetë për të cilin janë mbledhur dhe i përkushtohet veseve që shfaq në mënyrë të pandërgjegjshme. Ballkoni është ajo pasqyra jonë që nuk preferojmë ta shohim anjëherë. Ballkoni shërben në këtë rast si një kullë vrojtimi për skenat e fshehta që ndodhin në jetën tonë të përditshme, kur hyjmë ose jo në marrëdhënie me njerëzit me të cilët jetojmë në një qytet. Por subjekti i filmit nuk mbetet këtu sepse skenari nuk tregon vetëm kaq. Nuk pretendon të jetë një tjetër “Psikologji e turmave” si ajo e Frojdit, por të tregojë në mënyrën më të qartë se në çfarë zakonesh dhe mënyra sjelljesh vërtitet turma e qytetit tonë. Turma e paraqitur në film nuk është një turmë lokale me specifikat e saj, është një shembull abstrakt që tregon se si do të vepronte turma në çdo rast të njëjtë, në secilën pjesë të Shqipërisë. Gjithçka ndodh në dy plane paralele. Në plan të parë kemi një djalë të vogël që i ulur në parvazin e ballkonit të shtëpisë së tij, bërtet dhe pështyn ata që janë mbledhur poshtë ballkonit, ndërsa në planin e brendshëm mund të dallojmë një “ditë të zakontë” të qytetarëve në një nga qytetet shqiptare, nuk ka rëndësi se cilin sepse të gjitha qytetet në fakt paraqesin të njëjtat simptoma. Në planin e brendshëm të turmës ndodhin vjedhje, thuhen thashetheme, paraqitet paaftësia e organeve lokale qeverisëse në zgjidhjen e problemeve të qytetit, siç duket në pjesën ku zjarrëfikësit nuk dijnë se si të veprojnë për të zgjidhur situatën ndërsa polici nuk tregon seriozitet ndaj njoftimit të qytetarit për ndihmë. Në këtë përshtjellim vihet re edhe një tipar tjetër i shoqërisë sonë: largimi i vëmendjes nga problemet madhore të shoqërisë për shkak të problemeve të përditshme rutinë me të cilat përballet qytetari. Ky është mesazhi kryesor që ne duhet të kuptojmë dhe marrim nga filmi. Gjithçka që lidhet me veset dhe rutinën e përditshmërisë, na largon nga marrja pjesë në vendimet e rëndësishme dhe zgjidhja bashkarisht e problemeve të mëdha të komunitetit, për të cilat duket se nuk i bie më ndërmend askujt. Një tjetër mangësi e shoqërisë sonë që në film është shfaqur me mjeshtëri, është mungesa e bashkëpunimit të qytetarëve me njëri-tjetrin. Secili i kundërvihet tjetrit dhe askush nuk merr seriozisht pjesë në zgjidhjen e problemit. Duket se nuk ka paqe në turmë, ka vetëm indiferentizëm dhe mungesë solidariteti. Paqja e brendshme mungon gjatë gjithë filmit.