Pa Fokus Qershor | Page 6

Hapen aplikimet për Dokufest Të pasionuarit e krijimit të filmave dhe personat me ide kreative në fushën e kinematografisë do të kenë mundësinë për të aplikuar në edicionin e tretë të Kino Prizrenit që mbahet në kuadër të edicionit të sivjetmë të Dokufest-it, prej 16 deri më 24 gusht. Kino Prizreni është pjesë e Kino kabaret, një platformë e cila përfshinë artistë nga e gjithë bota për të prodhuar filma brenda një periudhe të shkurtër kohore, në një proces i cili kërkon kreativitet dhe eksperimentim. E krijuar në vitin 1999, Lëvizja Kino kabaret është përhapur në mbarë botën dhe tani përbëhet nga 60 degë. Ideja e kësaj ngjarjeje është që pjesëmarrësit nuk kanë nevojë të kenë mbaruar shkollë të filmit apo të kenë eksperiencë në aktrim për t`u pranuar por të kenë talent në këtë fushë dhe prirje për të bashkëpunuar në grupe brenda një jave intenzive për të xhiruar dhe prodhuar filma pothuajse pa buxhet. Filmbërësit e përzgjedhur do të ftohen në Prizren gjatë festivalit DokuFest për të organizuar ekipin dhe për të shkruar, xhiruar, edituar dhe shfaqur filmat e tyre në DokuFest 2014. Afati i fundit për aplikim është 20 qershor 2014, ndërsa aplikimi online mund të bëhet në ëeb faqen e DokuFestit në vegzën. Gjatë DokuFest të vitit të kaluar, Kino Prizreni përfshiu 22 pjesëmarrës, përfshirë studentë nga akademitë dhe shkollat e artit në Kosovë, Shqipëri dhe Tetovë. 12 filmat e prodhuar u shfaqën në DokuFest ndërsa disa prej tyre u shfaqën edhe në festivale tjera në botë. Si një platformë e bashkëpunimit, mundësia më e mirë e Lëvizjes Kino është ndarja e eksperiencave dhe krijimi i kontakteve mes filmbërësve. E bardha e Nimanit në Tiranë Pas rrugëtimit të saj në Romë, Meksikë e Cape Toën, performanca “E Bardhë” e Alban Nimanit u prezantua në datën 13 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Alban Nimani ka thënë se “E Bardhë”, është një eksplorim i mëtejshëm i materies së tingullit, përmes mediave te reja dhe teknologjisë së informacionit duke krijuar një konstruktim multi-dimensional te “hapësirës”. “Është një ndërlidhje arkitektonike mes mediave te reja, poezisë, dizajnit, instalacioneve, videos dhe baletit bashkëkohor”, ka thënë Nimani. Alban Nimani është artist që eksperimenton me mediat e reja dhe muzikën elektronike. Me përvojë në intermedia dhe muzikë alternative, performancat live përmbajnë muzikë minimale elektronike dhe procesim në kohë reale të efekte vizuale, instalacioneve, audio efekteve dhe baletit modern. Mjegullat e Tiranës ose Dashuria nr. 2 Të gjithë adhuruesit e Ismail Kadare kanë një histori të patreguar nga ai, histori që tashmë gjendet në libraritë e qytetit, pikërisht “Mjegullat e Tiranës”, romani i shkruar kur Kadare ishte vetëm 22 vjeç. “Arsyeja ishte e thjeshtë, ky roman mbeti edhe më pas si një vepër e mohuar prej meje. Për të qenë më i saktë, ai ishte pjesë e jetës sime të njeriut, por jo e asaj të shkrimtarit. Në këtë të fundit, ai i ngjante një fëmije të paligjshëm. Kjo kishte të bënte ndoshta me dyshimin tim se romani, duke qenë jashtë problemeve të kohës do ta kishte të pamundur botimin. Veç kësaj, pas kthimit nga Moska, ishte e natyrshme që ai të më dukej i prapambetur. Sidomos pas ‘Qytetit pa reklama’, që e kisha shkruar atje, dhe që qëndronte, nga çdo pikëpamje, më lart se ai”, – shprehet Kadare. “Për një kohë të gjatë, askush nuk e dinte ekzistencën e një romani të panjohur të Ismail Kadaresë. Dukej sikur ai vetë e kishte harruar romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, shkruar gjatë kohës kur ishte student në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1957-1958. Askush nuk mund t’i ndërhyjë një autori lidhur me vlerësimin e veprës së tij prej atij vetë. Shtëpia Botuese “Onufri” paralajmëron kështu daljen sot në të gjitha libraritë të romanit të parë të shkrimtarit Ismail Kadare.