Pa Fokus Qershor | Page 12

klu bi i lib rit Një plakush shumë i vjetër me krahë të pamasa N ë të tretën ditë të shiut ata kishin vrarë aq shumë gaforre brenda shtëpisë saqë Pelajos iu desh të përshkonte kopshtin e tij të qullur dhe t’i flakte në mes të detit, sepse fëmija i sapolindur kish patur temperaturë gjithë natën dhe ata menduan se mos qe faji i erës së keqe. Bota kishte rënë në trishtim që prej së martës. Deti e qielli dukeshin si një gjë e vetme ngjyrë hiri dhe rëra e plazhit, që në netët e marsit shkëlqente si pluhur yjesh, ishte shndërruar në një çorbë balte dhe guaskash të kalbura. Drita në mesditë ishte aq e dobët, saqë kur Pelajo po kthehej në shtëpi pas flakjes së gaforreve, pati vështirësi të shihte se ç’ish ajo gjëja që po lëvizte e po rënkonte në pjesën e prapme të kopshtit. Iu desh të afrohej goxha për të parë se ishte një plakush, një plakush shumë i vjetër, i shtrirë me fytyrë në baltë, i cili pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme, nuk mund të ngrihej, i penguar prej krahëve të tij të pamasa. I frikësuar nga ai makth, Pelajo vrapoi tek Elisenda, e shoqja, që po i bënte kompresa fëmijës së sëmurë dhe e tërhoqi në pjesën e prapme të kopshtit. Të dy e vështruan trupin e rënë nga lart me një shtangie të pazëshme. Ai ishte veshur si zhelan. Pak qime të zbardhura flokësh kishin mbetur në kokën e tij të zhveshur e akoma më pak dhëmbë i kishin mbijetuar në gojë, kështu që gjendja e tij e mjerueshme prej stër-stërgjyshi të qullur largoi çdo gjurmë madhështie që mund të kishte patur. Krahët e tij të mëdha gumëzhitëse, të pista e gjysmë të rrjepura ishin ngatërruar keqazi në baltë. Ata e vështruan aq gjatë dhe me aq vëmendje saqë Pelajo me Elisendën shpejt e kapërcyen habinë e tyre dhe në fund e gjithë ajo gjë iu duk disi e njohur. Pastaj morën guximin t’i flisnin dhe ai iu përgjigj në një dialekt të pakuptueshëm me një zë të fortë prej marinari. Kështu ndodhi që ata e anashkaluan telashin e krahëve dhe me goxha zgjuarsi dolën në përfundimin se ai na qenkësh një shkretan i vetmuar që vinte prej ndonjë anije të huaj mbytur në det nga stuhia. Dhe prapëseprapë, ata thirrën një fqinjen e tyre që dinte çdo gjë rreth jetës dhe vdekjes për ta parë, e gjithçka për të cilën ajo pati nevojë ish vetëm një vështrim për t’u treguar gabimin. “Ai është një engjëll,” u tha, “Me siguri ka ardhur për fëmijën, por i gjori është kaq i vjetër saqë shiu e ka hedhur tuç në tokë.” Ditën tjetër çdokush e mori vesh se një engjëll, dora vetë, mbahej i burgosur në shtëpinë e Pelajos. Për shkak të gjykimit të fqinjes së urtë, sipas së cilës engjëjt ato kohë ishin të mbijetuarit e arratisur të një komploti hyjnor, ata nuk patën zemër ta rrihnin me shkop gjer në vdekje. Pelajo e ruante gjithë pasditen nga kuzhina, i armatosur me kopaçen e tij të rëndë, e para se të binte në shtrat e zvarriste nëpër baltë dhe e kyçte bashkë me pulat në kafazin prej teli. Në mes të natës, kur pushoi shiu, Pelajo dhe Elisenda ishin ende duke vrarë gaforre. Pak kohë pas