Pa Fokus Prill | Page 44

Pa Fokus Pa Fokus 1 Rubrika e tetë “Unë jam një Bloger”. Meqënëse fenomeni I blogut është gjithnjë në rritje ne bëjmë thirrje që të gjithë ata që shkruajnë në një blog, personal apo me një grup të caktuar individësh, të marrin nismën që të na shkruajnë gjithnjë për shkrimet e tyre, një anëtar i skuadrës do të rishikojë të gjithë shkrimet dhe përzgjedhë mes të gjithave, dy të cilat do të përgatiten vizualisht në revistë. SHQIPËRIA e 1 mundësie U bë kohë që përpiqem të shikoj sa më pak TV, sidomos edicione lajmesh. Në shaka e sipër i them vetes se çdo gjë që ndodh apo që duhet të di postohet ne Facebook gjithsesi. Dhe në të vërtetë, teksa po kaloja nëpër Homepage, më kapi syri një artikull: ”Shqipëria në gjendje lufte, në 23 vjet 6259 të vrarë” dhe çka ishte më alarmuese, në këto shifra nuk përfshiheshin tragjeditë apo aksidentet e të gjitha llojeve. Dhe këto ishin vetëm statistika vrasjesh, pra ku dikush vdes, dhe “plagët e jetës së tij” duket sikur shuhen atje, në atë moment. Pra, këtu nuk përfshiheshin ato tmerret e tjera, grabitje në mes të ditës, nën kërcënimin apo jo të armës, dhunë ndaj gruas e së fundmi ndaj nënës, përdhunime deri në kafshëri, përsëri edhe ndaj nënës, pedofili, kërcënim jete, sherre deri në plagosje e vrasje midis adoleshentëve nëpër shkolla, segmente të tëra me njerëz që lypin e nuk di kujt t’i japësh më parë ca qindarka, sikur ato do i lehtësojnë jetën, njerëz që ecin të përhumbur rrugës a thua po çmenden - B nga momenti në moment, e në ecje e sipër i dëgjon tek flasin me njëri-tjetrin me lot në sy, sepse nuk sigurojnë dot bukën- bukë thatë për të gjithë muajin për fëmijët e tyre, e shumë lloje të tjera plagësh nga ato që e përndjekin njeriun deri në vdekje e e tresin pak nga pak. Me sa duket e evitoj TV-në nga frika, nga pasiguria që më përcjell, nga gjendja që më krijon, nga dhimbja e pafuqia për të bërë diçka. (“Nothing captures human interest more than human tragedy.”- Dan Brown) Shprehja tipike që dëgjoj nga njerëzit për raste të tilla është, “sa të largëta duken gjërat deri sa i provon vetë“. E si mund të të duket larg nga vetja, kur një 3 vjeçar të shtrin dorën për ndihmë pa e kuptuar as vetë ç’po bën e çfarë po i ndodh, e një tjetër pak më i rritur që e ka kuptuar fatin e tij, bëhet agresiv e përdor çdo metodë për t’i dhënë qoftë edhe 100 lekë?! E gjej veten çdo ditë duke pyetur “Çfarë dreqin po i ndodh këtij vendi?!“. Çdo ditë shpresoj për mirë e në fund të ditës çdo gjë më duket e përkeqësuar. Çdo ditë dëgjoj, shoh, lexoj, përjetoj diçka. Dhe ajo çka më irriton më shumë është indiferenca apo reagime të tipit: “S’është punë për mua“, ”Kokën të hanë me njëritjetrin“, “S’ka shtet sot, jo!“, “Politika e ka fajin“ … Situata të ndryshme, të njëjtat shprehje 20 vjet të jetës sime. Mes gjithë kësaj katrahure kam kuptuar se Po: prindi e ka fajin që nuk ka dhënë edukimin e duhur, mësuesja e ka fajin që nuk e kishte mendjen, shoqëria i dha një të shtyrë ngjarjes, shteti nuk është asnjëherë atje, unë e kam fajin që s’kam bërë asgjë në lidhje me përmirësimin e situatës e më keq akoma kam qëndruar indiferente. Kam kuptuar se Po, politika është një lëmsh më vete, kemi një shtet të dobët e të varfër, po rriten breza të pa edukuar, kulturuar e arsimuar sa duhet, por mbi të gjitha kam kuptuar se ky kaos vjen nga ajo që do ta quaja, “Shqipëria, vend i vetëm një mundësie!“