Pa Fokus Maj | Page 28

Pretendimi i Ministrit se kisha është ndërtuar pa leje e si e tillë do të shembet, duket si artikulim mekanikisht i standartizuar që kufizohet vetëm në anën teknike. Në këtë rast gabimi nuk qendron në arsyetimin se kisha duhet shembur pasi është ndërtuar në kundravajtje me ligjin. Gabimi ndodh kur kisha trajtohet si objekt arkitektonik çfarëdo. Trajtimi i një godine të tillë si kisha në fjalë, sikurse një objekt çfarëdo përbën një rast tipik zhvlerësimi. Nuk mundet kurrësesi që një ndërtesë me arkitekturë të veçantë, të trajtohet njësoj si një shtesë kati. Natyrisht koncepti i urbanistikës ka rëndësi të madhe në projektimin e përshtatshëm të ndërtesave, të cilat do të krijonin një qytet harmonik. Por edhe në këtë rast, veçantia e arkitekturës së godinës së kishës prevalon mbi statikën e urbanistikës. Shembuj të tillë për tu përmendur janë “Pallati i Kulturës” dhe “Muzeu Historik Kombëtar” në Tiranë. Të dyja këto objekte janë ndërtuar gjatë viteve të para të pushtetit diktatorial hoxhist në vend, jashtë koherencës së planit për qendrën e qytetit që ishte projektuar para do vitesh nga arkitektë italianë më në zë të kohës. Për më tepër këto këto dy objekte janë ngritur mbi pjesë të ansammblit të trashëgimisë kulturore të qytetit. Por prej kohës së ndërtimit e deri në ditët e sotme, këto objekte luajnë rol kyç në jetën artistike e kulturore të vendit. Ky fakt ndoshta më shumë prej funksionalizmit se sa prej stilit arkitektonik të këtyre objekteve. Duke ndjekur logjikën se këto objekte duhen prishur si jokoherente me planin urbanistik, vendit do t’i kushtonte një kosto e lartë që fare mirë mund të përdorej gjetkë. Gjithsesi ky fakt përbën një shembull evident për këdo, sesi në raste të veçanta urbanistika vlerësohet si “triviale”. Një tjetër rast i ngjashëm ku shkatërrimi shihej si shpëtim i vetëm mund të përmendet edhe ai i Piramidës në Tiranë, projektuar fillimisht në fundvitet ’80 si muze i diktatorit Hoxha. Në pranverën e vitit 2011 ish-Kryeministrit Berisha i lodhur nga e njejta retorikë antikomuniste prej njëzet vitesh, ishte përbetuar se do t’a shembte Piramidën në Tiranë pa një pa dy. Sjellje kjo dukej se buronte sa nga obsesioni kumpulsiv që Kryeministrin e kishte kapluar aso kohe, aq edhe nga inovacioni propagandistik antikomunist. Pas shumë orvatjesh Piramida nuk u shemb, si rezultat i presionit social, politik e diplomatik , apo si rezultat i kthimit të vetkontrollit nga ish-Kryeministri, kjo mbetet vetëm të hamendësohet. Për të shmangur keqkuptimet stereotipizuese duhet të theksoj se evakuimi i rastit të mësipërm është thjesht ilustrues e jo paralelizues. Kështu, nëse kthimi i kishës në hapsirë të artit bashkëkohor nuk do të ishte zgjedhja më e mirë e mundshme, shembja e kishës pa dyshim që do të ishte zgjedhja më e gabuar e mundshme. Akti i shembjes do të ishte një sakrilegj kulturor i shëmtuar, ardhur si rezultat i një nisme të nxituar për të qenë sa më koherent me logjikën ligjore. Diversioni ndaj godinës së kishës nuk justifikon aspak prirjen pë tu qendruar komfort ligjeve. Përkundrazi, nisma për trajtuar me arrogancë godinën e kishës do të përligjte arrogancën intensive të ndërtuesve së kishës. Veç të tjerash, trajtimi me respekt i godinës do të simbolizonte vullnetin dashamirës së organeve kompetente e instancave të shtetit në Kosovë për mos të rënë në rangun e provokatorëve shovinistë. Si përfundim e shoh si të arsyeshme që nisma e Ministrit të Ambjentit e Planifikimit Hapsinor Gashi për shembjen e kishës si zgjidhjen më të lehtë, me një nismë për rehabilitimin e godinës së kishës. Qendrimi i autorit të shkrimit në lidhje me kishën shprehet më së miri në numrin e kaluar, për kthimin e saj në një muze apo qendër studimore e kërkimore mbi kulturën mesjetare (bizantine). Pa pretenduar se zotëroj monopolin e zgjidhjeve optimale, ndoshta do të ishte mirë që Ministria e Ambjentit e Planifikimit Hapsinor (apo ndonjë ministiri tjetës si ajo e Kulturës ndoshta) të ftonte në konkurs ideatorët për një alternativë më të mirë për rijetësimin e godinës aktuale të Kishës “Shën Nikolla”. Kështu do të mund të trajtohej me dinjitet jo vetëm godina e pa prishur e kishës, por do të trajtohej me humanizëm edhe subjekti i prishur i kishës. aaa